KE ndihmë për luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri (15 Shtator 2000)
Shqipëria e ka kuadrin ligjor për të luftuar korrupsionin, por asaj i duhen hallkat për të mbikqyrur dhe ndaluar aferat e pista nga qeveritarët dhe administrata. Një grup specialistësh dhe konsulentësh nga Këshilli i Europës, ndodhet prej disa ditësh në Tiranë për të parë mënyrën se si mund të ndihmohet ky vend i Europës postkomuniste.
4 konsulentët e KE-së kanë takuar gjatë këtyre ditëve qeveritarë, drejtues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përfaqësues të ekonomisë, por dhe drejtues të opozitës shqiptare për t’u njohur me mënyrën se si mundet KE të ndihmojë Shqipërinë në këtë aspekt.
Në fund të qendrimit në Tiranë, konsulentët europianë, mes tyre dhe prokurori i Milanos, janë shprehur në një konferencë shtypi për gazetarët. Meqenëse qeveria shqiptare ka tashmë një projekt për luftën ndaj korrupsionit, grupi konsulent ka arritur në konkluzionin se Shqipëria mund të ndihmohet për ngritjen e strukturave dhe për monitorimin ndërkombëtar për të realizuar këtë projekt, por konsulentët europianë nuk kanë shpjeguar se në çfarë nivelesh rezulton korrupsioni në Shqipëri, pasi po nuk u ngritën strukturat monitoruese, as kjo nuk mund të realizohet./tvklan.al