Këngëtari i njohur i bashkohet nismës së Stop, shpërndan ndihma monetare për banorët e prekur nga tërmeti
Këngëtari i njohur Ardian Bujupi i është bashkuar nismës së emisionit “Stop” në Tv Klan për të ndihmuar banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Bëhet fjalë për banorët që janë strehuar në zonën e Unazës së Re në Tiranë tek ndërtesa “Egi Center” në pronësi të Flamur Dajçit.
Ardian Bujupi ka vizituar banorët që po qëndrojnë në këtë qendër dhe u ka dhuruar atyre një zarf me shuma monetare të mbledhura nga shqiptarë të Kosovës dhe nga ata që jetojnë në Gjermani, të cilët kanë kontribuuar për këtë fatkeqësi.
Ardian Bujupi: Një shok i imi më tregoi që dhe këtu ka familje që u duhet ndihmë. Vijmë edhe këtu i ndihmojmë me çfarë kemi mundësi. Më herët kam qenë në disa fshatra të vogla rreth Tiranës.
Shumën e dhuruar, këngëtari ka preferuar mos ta bëjë publike, por solidarizimi i tij me këta banorë të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë, është për t’u vlerësuar. /tvklan.al