Kërcënimi i ambasadorit Lu: Pasoja specifike për ata që nuk votojnë reformën
Me porosi nga Uashingtoni, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu i drejtoi një ultimatum udhëheqësve politikë shqiptarë për të miratuar të enjten, reformën në drejtësi.
Duke folur në një proteste të organizuar nga disa shoqata të financuara nga Soros, përpara kryesisë se Kuvendit, ai tha se për ata që do të votojnë kundër reformës, do të ketë pasoja të rënda specifike.
Donald Lu, ambasadori i SHBA:
Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata.
Ambasadori amerikan e drejtoi serish gishtin nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si personin që vazhdon të ndryshojë qëndrim për reformën.
Donald Lu, ambasadori i SHBA:
Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6. Por kjo nuk mjaftonte. Tani, për herë të parë, ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar, nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve. Epo kjo është e çuditshme. Më 19 maj Basha na tha ne dhe Ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar, të shkruar, që na dërgoi. Tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.
Ambasadori Lu, i cili bashke me ambasadoren Vlahutin refuzuan t’i bashkohet tryezës Rama-Meta-Basha, u shpreh se tani është koha për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë dhe u kërkoi deputeteve t’i binden vullnetit të popullit dhe jo frikës nga udhëheqësit e tyre politike./TV KLAN