Si u ndalua Emiljano Shullazi


Si u ndalua Emiljano Shullazi

08:27 17/04/2016

Ishte ora 14:00 kur ish – Kryeministri Sali Berisha denoncoi publikisht Emiljano Shullazin për kërcënim të akademikut Mynir Koni, për ta detyruar të tërhiqej nga gara për postin e Rektorit të Universitetit të Tiranës.

6 orë më vonë, në orën 21:15 Shullazi u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Pas tij edhe Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, ky i fundit i kapur në Krujë. Policia kërkoi t’i merrte në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes që për herë të parë lidhte një aktivitet kriminal me një proces zgjedhor në botën akademike.

Shullazi i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se nuk e njeh akademikun. Ndërsa Koni, edhe ai i pyetur nga policia, ka pohuar se është kërcënuar, por se nuk i njihte autorët.

Për këtë arsye Shullazi ka pritur të lirohet. Por një kërkesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda e ka ndryshuar rrjedhjen e ngjarjeve.

Dy orë pas shoqërimit në polici të Shullazit, Prokurori i Përgjithshëm, Ardriatik Llalla mblodhi në zyrën e tij në një takim urgjent, Drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çakon, Drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, Kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe Kryeprokurorin e Tiranës, Petrit Fusha.

Në takim është diskutuar vetëm mbi shoqërimin e Shullazit.

Drejtuesit e policisë janë kapur në befasi nga kërkesa e krerëve të prokurorisë që Shullazi dhe dy miqtë e tij të ndaloheshin. Prokuroria i ka njohur me hetimet që po kryheshin ndaj tyre prej disa muajsh, për të cilat policia nuk kishte dijeni. Nga mbikqyrja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe veprimet e tjera hetimore ka rezultuar se ata ishin të përfshirë në një sërë veprash penale.

2 orë e gjysmë pas këtij takimi,  në orën 1:30 policia u njoh zyrtarisht me urdhër – ndalimin e prokurorisë dhe ua komunikoi atë tre të shoqëruave, të cilët prisnin të liroheshin, pasi nuk ishte provuar akuza për kërcënimin e akademikut.

Por tashmë ata do të duhet të përballen zyrtarisht për disa akuza më të rënda.

Tv Klan






Të ngjashme