Kërcënohet Kryetarja e KQZ-së së Kosovës
Debate për përjashtimet e kandidatëve për deputetë
Me të kuptuar se kush mund të kandidojë e kush jo në zgjedhjet e 14 Shkurtit pas verifikimit që u ka bërë kandidatëve Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kërcënime të shumta pretendon se ka pranuar kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka. Madje thotë se kërcënime ka pranuar edhe familja e saj. Sipas saj këto janë të rrezikshme dhe të papranueshme si dhe ndërhyrje në punën e KQZ-së.
“Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë veten në listën e KGJK-së si persona që nuk e plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidatë për deputetë ua them vetë dy fjalë, shkurt e shqip dhe qartë. Është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin e jo unë”.
Një ditë më parë, në RTV Dukagjini nënkryetari i LVV-së Glauk Konjufca ka hedhur akuza direkte ndaj saj. “Personi që në KQZ po ndikon që edhe kërkesa me qenë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka”, ka thënë ai.
Kreu i LVV-së Albin Kurti insiston se lista e kandidatëve për deputetë do të mbetet ajo që ishte.
“Para një viti pati qenë në Kosovë ish-ambasadori Grenell dhe pati darkuar me ish-presidentin Hashim Thaçi, por ai është viti kaluar. Mendoj se institucionet e shtetit duhet të updatohen në rrethana të reja. Unë jam bartës i listës i cili i respekton dhe i përfill me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet”.
Derisa kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje që të gjithë të respektojnë vendimin për të moskandiduar për deputet personat që kanë probleme me ligjin.
“Ne i nënshtrohemi vendimeve të organeve të drejtësisë, besoj që të gjithë duhet të trajtohen njësoj pavarësisht pozitës që kanë. E kemi pas një kandidat dhe do të bëjmë zëvendësimin e nevojshëm”.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka verifikuar se 47 kandidatë për deputetë përfshirë edhe Albin Kurtin nuk janë në përputhje me ligjin për zgjedhjet. Zyra për regjistrimin e partive politike dhe certifikim është duke përgatitur rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.
Tv Klan