Kërcënon Koreja e Veriut: SHBA do të përballet me “dhimbjen më të madhe”
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka vendosur sanksione të reja kundër Koresë së Veriut, pasi kjo e fundit, më 3 Shtator, ka kryer provën e gjashtë bërthamore.
Rezoluta e sanksioneve është hartuar nga Shtetet e Bashkuara. Phenjani i hodhi poshtë ato dhe tha se SHBA-ja do të përballet së shpejti me “dhimbjen më të madhe” që ka pasur ndonjëherë.
Ambasadori, Han Tae Song, tha në OKB se SHBA është “e fiksuar” në pengimin e zhvillimit të Koresë Veriore si forcë bërthamore.
Sanksionet e reja i kufizojnë Phenjanit importet e naftës dhe i ndalojnë eksportet e tekstilit.
Shtetet e Bashkuara fillimisht kanë propozuar sanksione më të ashpra, përfshirë ndalimin total të importeve të naftës.
Por, sanksionet janë miratuar njëzëshëm vetëm pasi aleatët e Phenjanit, Rusia dhe Kina, kanë rënë dakord për masa më të reduktuara./REL