Kërkesat për reparacione rrezikojnë marrëdhëniet gjermano-polake?


Kërkesat për reparacione rrezikojnë marrëdhëniet gjermano-polake?

23:34 16/09/2017

Qeveria e Polonisë këmbëngul me forcë që Gjermania t’i paguajë miliarda euro dëmshpërblim për krimet e Luftës së Dytë Botërore. Si duhet të veprohet me to, pyet Dagmar Engel me rastin e një vizite në Varshavë këtë javë.

Nganjëherë është rasti ai që i hap perspektivat interesante: njëkohësisht këtë javë ishte një qendër studimore në Berlin dhe një në Varshavë që ftuan për të diskutuar. Në Berlin, para një publiku gjerman foli një këshilltar i Presidentit të Polonisë – një temë qendrore e diskutimit qenë kërkesat e reparacioneve, të cilat i ka ngritur qeveria polake. Pikërisht në fillim të javës, një ekspertizë e Sejm-it, e Parlamentit polak, konfirmoi legjitimitetin e këtyre kërkesave.

Në të njëjtën kohë në Varshavë: debatohet për temën e populizmit dhe të solidaritetit në Evropë. Në podium – krahas një këshilltari tjetër të Presidentit polak – edhe panelistë nga Gjermania. Publiku polak shtron pyetje mjaft kritike për politikën gjermane të migrimit, për rolin gjerman në Evropë – por tema e reparacioneve nuk u përmend, asnjë herë të vetme.

Modele të njohura

Pas debatit, të pyetur për këtë temë, shumica e të pyeturve reaguan me psherëtima dhe rrotullim të syve. Thirrja drejt Gjermanisë për të paguar reparacione, paraqitet me dëshirë nga partia populiste në pushtet, PiS, kur në politikën e brendshme punët nuk ecin kaq mirë. Në të kaluarën edhe mund të ishe i sigurtë që një shumicë dërrmuese polakësh do ta mbështeste këtë kërkesë. 

Sa e tmerrshme është ajo që i ka bërë Gjermania naziste Polonisë, për këtë nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston dyshim. Por kjo temë me sa duket nuk tërheq më vëmendjen e brezit të ri në Poloni. Sondazhet, në varësi të pyetjes sugjerojnë mbështetje të ndryshme: midis 49 dhe 63 përqind janë mbështetësit e kërkesave për reparacione; në një sondazh tjetër, dy të tretat e të anketuarve e konsideron të mbyllur çështjen e reparacioneve.

Related





Të ngjashme