Kerry viziton memorialin e viktimave të Hiroshimës
71 vjet pas hedhjes së bombës atomike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, vizitoi “Parkun e Paqes” në Hiroshima, në qytetin ku u vranë rreth 140 mijë japonezë. I shoqëruar nga ministrat e jashtëm të vendeve të G7, ai bëri homazhe ne memorialin e viktimave.
“
Ky udhëtim nuk është për të shkuarën, por për të tashmen dhe të ardhmen dhe forcon marrëdhënien që ne kemi ndërtuar. E gjithë bota duhet të ndjejë fuqinë e këtij memoriali
”, deklaroi Sekretari Amerikan i Shtetit.
“Ai na kujton me forcë detyrat që kemi për t’i dhënë fund jo vetëm kërcënimit nga armët bërthamore, por edhe se duhet bërë gjithçka për të shmangur luftën”, shkroi Kerri në librin e artë të museut përkujtimor.
Më 6 gusht 1945, avioni bombardues amerikan B-29 hodhi bombën e parë të uraniumit në Hiroshima. Rreth 70 mijë persona u vranë, ndërsa 70 mijë të tjerë humbën jetën brenda vitit për shkak të plagëve apo radioaktivitetit. 3 ditë më pas një tjetër bombë u hodh në Nagasaki, çka detyroi Japoninë të dorëzohej. Shumë qytetarë amerikanë nuk janë dakord që liderët e tyre të kërkojnë ndjesë për bombën atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, pasi sipas tyre ky akt ndihmoi që t’i jepej fund Luftës së Dytë Botërore./TV KLAN