KESH, përmirësohet situata energjitike për shkak të reshjeve – (26 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Ndërprerjet e energjisë elektrike në kryeqytet dhe në disa rrethe të vendit, janë për arsye teknike. Sipas burimeve zyrtare nga KESH, disa nga shtyllat elektrike të tensionit të lartë, janë zhvendosur nga vendet e tyre, në autostradën Tiranë-Fier, për shkak të kryerjes së punimeve atje.
Ndërkohë situata sot paraqitet e përmirësuar, për shkak se reshjet kanë shtuar prurjet në vendin tonë. Niveli në liqenin e Fierzës është rritur rreth një metër, ndërsa prurjet në lumin Drin, kanë shkuar rreth 350 metra kub ujë në sekondë. Ndërkohë që bora vazhdon në veri të vendit, situata jonë energjitike po përballohet me kapacitetin e hidrocentraleve të Komanit, Vaut të Dejës dhe Ulëzës, duke shtuar këtu edhe 6 milion kw/orë të importuara në ditë./tvklan.al