KESH rikthen ndërprerjet e energjisë në vend – (21 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Pas ditëve të krizës energjetike, që kaluam dhe ditëve të Vitit të Ri, që nuk u fikën për asnjë çast dritat, banorëve iu janë rikthyer ndërprerjet. Pas orës 12 të natës dhe pas orës 8 të mëngjesit, dritat fiken në çdo shtëpi. Oraret pa energji janë të njëjta si tre muaj më parë. Duket sikur nuk ka përmirësim të situatës. Ndërsa për KESH, nuk kanë ndryshuar oraret e ndërprerjes. Sipas drejtorit të KESH-it, Dritan Prifti, arrihet të kufizohet tre milion kilovat orë në ditë, pra 15% të konsumit.
Dritan Prifti, Drejtor i KESH:- “Nuk ka asnjë kufizim të ri të energjisë, megjithëse situata është e tillë, që edhe nëse do të bënim ndonjë kufizim, do të ishte i pranueshëm, sepse vazhdon situata e thatësirës. Liqeni i Fierzës çdo ditë bie 20 centimetër dhe ne duhet të mendojmë pak më shumë afatgjatë, kemi një pranverë dhe një verë, që tradicionalisht nuk ka reshje. Megjithatë nuk kemi marrë vendime për të thelluar kufizimet, por do t’i mbajmë në këtë nivel që janë sot”.
Sytë sërish duhen mbajtur nga qielli, shi, borë, çfarëdo që të jetë për ne është mirë./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti