KESH, vazhdon situata e rënduar energjitike – (4 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Pas shirave të ditëve të fundit, situata energjitike nuk duket se është përmirësuar. Megjithëse sot mund të kemi më shumë drita, e vërteta është ndryshe. Niveli i ujërave në hidrocentrale është rritur pak. 3.5 metra i janë shtuar Fierzës këto ditë, ndërkohë që na duhen mbi 30 metra të tjerë për të arritur nivelin maksimal, i cili është 275 metër.
Aktualisht energji prodhohet nga Komani, Vau i Dejës dhe TEC-i i Fierit, pasi hidrocentrali i Fierzës është mbyllur. Nëndrejtori i Përgjithshëm i KESH-it Arben Kruja thotë:
Arben Kruja:- “Nuk mund të themi që ka përmirësim drastik të furnizimit me energji, apo kemi krijuar rezervën e nevojshme ujore për të gjithë vitin dhe për periudhën e verës, ku dihet që prurjet e lumenjve, janë shumë më të vogla. Neve kemi parashikuar që në fillim të vitit, blerjen e një sasie energjie elektrike nga vendet e tjera. Në këtë rast dihet tashmë, ne jemi një vend blerës i energjisë elektrike, pasi nuk arrijmë dot me kapacitetet tona prodhuese të kënaqim kërkesat e konsumatorëve tanë”.
Garancia që jep KESH për vitin e ardhshëm është përdorimi i rezervave ujore, uljen e ngarkesave në rrjet, duke rritur kontrollin dhe pagesat, si dhe rritjen e kapacitetit importues./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti