Këshilli i Investimeve: Nuk respektohet afati për lejet e ndërtimit


Këshilli i Investimeve: Nuk respektohet afati për lejet e ndërtimit

19:39 12/03/2018

60 ditët e vendosura në ligj për miratimin e lejeve të ndërtimit nuk zbatohen nga ana e bashkive. Këto janë konkluzionet që ka hartuar në një raport teknik Këshilli i Investimeve, një strukturë e cila kryesohet nga ministri i Financave dhe është krijuar me asistencën e BERZH.

Në raport vërehet se shumë biznese të cilat janë pyetur në terren, shprehen se stafet e bashkive nxjerrin pretekste dhe kërkojnë dokumente shtesë, të pabazuara në ligj, vetëm për të përfituar kohë, ndërsa po ashtu kanë ndodhur përplasje edhe me afatin 60 ditë, nëse janë kalendarike, apo ditë pune.

Këshilli i Investimeve propozon që një pjesë e lejeve të ndikimit në mjedis të hiqen, në rastin që bëhet fjalë për vepra të cilat janë për qëllime banimi. Një tjetër problematikë që konstatohet është edhe ajo në sektorin e bujqësisë, ku shumë fermerë kanë vështirësi në marrjen e një leje ndërtimi për të bërë serat, pasi më parë duhet të kalojnë një procedurë të gjatë në kthimin e tokës bujqësore në truall. 

Raporti nënvizon po ashtu se bashkitë aplikojnë tarifa të ndryshme për aplikimin e lejeve të ndërtimit, disa e kanë 1% të investimit e disa tarifë fikse, por kjo sipas Këshillit të Investimeve nuk është e bazuar në ligj.

Tv Klan






Të ngjashme