KFOR, incidenti me UÇK – (1 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Një incident ka ndodhur mes forcave ruse të KFOR-it dhe Shefit të Shtabit të UÇK-së Agim Çeku. Çeku është ndaluar nga patrullat ruse të KFOR-it sipas tyre për verifikim dokumentash. KFOR trupat paqeruajtëse theksuan Çeku dhe rojet e tij u ndaluan për shkak se nuk kishin dokumenta identiteti dhe se ishin veshur me uniformën e UÇK-së. Ushtarët rusë në pikën e kontrollit gjithashtu theksuan se ishte një incident i parëndësishëm.
Ndërkohë lideri politik i UÇK -së Hashim Thaçi e ka cilësuar këtë akt si të paramenduar me një qëllim politik dhe tha se rusët të cilët po operojnë së bashku me forcat e Natos në KFOR, duhet të vendosen nën kontrollin e Natos. Ndërkohë reagime vijnë dhe nga Moska zyrtare.
Pretendimet nga ana e UÇK se ajo është në një farë mënyre përgjegjëse për situatën në Kosovë dhe kontrollon territore në krahinë, bie në kundërshtim të drejtpërdrejt me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, deklaron Moska zyrtare./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori