Kim takohet me Lleshaj: Sqaroi çështjen e regjistrimit të votuesve
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, është takuar me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, këtë të enjte. Mes tyre është diskutuar në lidhje me bashkëpunimet në fushën e sigurisë mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Gjthashtu Kim dhe Lleshaj kanë folur edhe për përgatitjen e zgjedhjeve duke përfshirë implementimin e identifikimit biometrik siç është rënë dakord më 5 Qershor.
“Ai sqaroi disa pyetje rreth regjistrimit të votuesve”, shkruan Kim në Twitter.
Kujtojmë që ditën e djeshme, PD-ja akuzoi qeverinë se ka nisur një operacion të mirëorganizuar për të penguar qytetarët të votojnë në zgjedhjet e ardhshme duke u ndryshuar vendbanimet.
Për selinë blu ky veprim është në shkelje të ligjit e Kushtetutës, ndaj ata paralajmërojnë padi penale për zyrtarët e përfshirë në këtë skemë, duke nisur nga ministri i Brendshëm.
Në kundërpërgjigje, Lleshaj hodhi poshtë akuzat e selisë blu, duke i cilësuar ato trillime, pasi sipas tij nuk po ndodh asnjë ndryshim me qendrat e votimit./tvklan.al