Kishin mbushur çantën me bomba, prangosen 2 persona
Policia e Lezhës ka goditur një tjetër tentativë të trafikimit të bombave me telekomandë për shpërthim në distancë. Në një njoftim për mediat bëhet me dije se janë arrestuar 2 persona që doni ntë trafikonim bombat drejt Malit të Zi.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi proaktiv njëmujor, bënë të mundur parandalimin dhe goditjen e një tjetër rasti të tentativës për prodhim dhe trafikim të bombave me telekomandë për shpërthim në distancë”, njofton Policia.
Mësohet se në pranga kanë rënë Erol Çiçi 33 vjeç dhe Mariglen Gruda 30 vjeç, banues në Durrës, të dënuar me parë. Këta persona u kapën në flagrancë në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit”, në hyrje të qytetit të Lezhës.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në çantën e M. G. janë gjetur dy bomba me mekanizëm shpërthimi në distancë nëpërmjet aparatit telefonik celular, ku njëra ishte me lëndë të dyshuar plasëse e llojit tritol dhe tjetra me lëndë të dyshuar si plasëse e llojit dinamit, të cilat dyshohet se do t’i trafikonin në drejtim të Malit të Zi./tvklan.al