Klandestinët shqiptarë në Francë, jeta në kushtet çnjerëzore


Klandestinët shqiptarë në Francë, jeta në kushtet çnjerëzore

15:00 28/06/2016

Nga Vincent Triest

Dieppe… emër cinik për një kamp refugjatësh me shqiptarë. Në lindje të Francës, rreth 50 apo 60 kilometra nga brigjet angleze, 200 burra shqiptarë, po jetojnë prej muajsh në kushte çnjerëzore.

Nuk ka banorë të vjetër në Dieppe. Me i vjetri mbërriti 7 muaj më parë. Emrat nuk i thonë. Në kamera nuk pranojnë të tregojnë fytyrën. Nuk duan që familjarët e tyre ta dinë se në çfarë kushtesh po jetojnë.

Ujë të pijshëm nuk ka. Dushet apo tulatet mungojnë. Plehrat digjen pranë çadrave, që çdo natë janë te rrezikuara nga rënia e shkëmbinjve. Ushqimin ia siguron mëshira e organizatave të huaja që veprojnë në Francë. Gjithçka që mbetet janë këto çadra të vogla dhe shpresa për tu futur fshehtas në port.

“Jetë katastrofe. Si mos më keq. Për një jetë më të mirë i kemi këto sakrifica. Çfarë lloj njerëz jetojnë këtu? Të gjithë vinë këtu nga Shqipëria? Po nga Shqipëria, disa vine nga vende të tjera Evropiane. Por shumica nga Shqipëria. Shumica shqiptar. Kane qenë dhe kurdistan këtu por na kërcënuan me thika. U bëmë shume dhe i përzumë.”

Në një nga çadrat është varur flamuri shqiptar. Nuk dihet kush nga emigrantet e solli i pari aty, sepse në Dieppe nuk ka rezidente. Flamuri këtu rri i palëvizur dhe nuk e ka shkëlqimin e flamujve qe u valëvitën në Lens, në Marseje apo Lion për kombëtaren shqiptare.

Për këta njerëz, që duan të ikin me çdo çmim nga Shqipëria, ky flamur merr një kuptim të dyfishte. Në njërën anë familja dhe Shqipëria ku janë rritur, në anën tjetër Shqipëria nga e cila kërkojnë të largohen.

Ku dëshironi të shkoni?

Por në një vend ku të kemi një punë. Të kemi një jetesë normale.

Çfarë profesioni keni?

Profesioni im është që kam punuar në ndërtim, gati 10 vjet në ndërtim. Unë kam mbaruar shkollën e larte. Kam punuar si mësues për gati 3 vjet.

Çfarë ke studiuar?

Histori-gjeografi. Edhe pastaj pas 3 vjetësh kur erdhi ky sistem, i Edi Ramës me nxorën nga puna.

Për çfarë arsyesh shqiptarët janë larguar kohët e fundit në numra aq të larta?

Po nga pamundësia për të punuar. Se s’ka asnjë lloj jetese. S’ke jetesën minimale.

Kjo ka të bëj me rënien e punësisë në Shqipëri?

Rënia e punësisë mos me e thonë fare. Vetëm ato që kane miq edhe shokë.

Nuk ju merr malli për Shqipërinë?

Për Shqipërinë normal që na merr malli për njerëzit, miqësinë që kemi ne. Por politika, kjo na sjell këtej. Kur e mendon me u kthye mbrapsht dhe çfarë të pret në Shqipëri, po të kthehesh kjo na shtyn me shpresën hajt se do ri një ditë andej. Kur e mendon thellë thellë që do shkosh në Shqipëri pa një punë…kur s’punojmë në këtë moshë, kur do punojmë? Kur do plakemi? Si do krijosh një familje. Ja si zotëria në krah që ka lind fëmija dhe nuk mund ta shikoj, nga pamundësia për ta ushqyer.

Njësoj dhe në Dieppe. Shqiptarët vijnë këtu me shpresën për të ikur. Ata me fat arrijnë të futen natën në port. Nëse nuk dallohen nga policia, fshihen nëpër kamionë apo kontenierë. Nga aty ngarkohen në tragetet që i çojnë në Angli. Kush i ka 7 mijë paund mund të kaloje me skaf drejt brigjeve angleze. Në Dieppe përfundojnë ata që nuk i kanë mbledhur ato para. Aty presin një shans në portin më të madh francez…

Fati nuk i ndihmon të gjithë. Tregojnë se ka pasur nga ata që kanë rënë në humnerë. Të tjerë janë aksidentuar poshtë kamionëve.

“Po çfarë të bëjmë, kur nuk na mbështet shteti jonë, çfarë duhet të presim nga shtete të tjera. Për deri sa e kemi marrë këtë rrugë jemi bërë gati me përballu çdo lloj sfide. Shokë tanë që e kanë provuar nga Holanda, nga Belgjika dhe Calais, kanë ardhur me e provuar edhe këtu. E provojnë tek kamioni dhe futen nën aks. Tek gomat të kupolës, mbrapa i futeni nën aks. Kanë thyer edhe këmbën, ka ndodhur lloj-lloj”.

Në 7 muaj kanë mundur të kalojnë drejt Anglisë, rreth 50 veta. Shpresat janë të pakta dhe kushtet e jetës vetëm përkeqësohen. Megjithatë askush nuk e braktis Dieppe. Shpresa që vjen përtej detit është e madhe sa dëshpërimi që kanë lënë pas. Si për ta konfirmuar këtë, thonë se askush nga Ambasada Shqiptare në Francë nuk i ka kontaktuar. Askush nuk është interesuar për fatin e mbi 200 shqiptarëve në këtë cep të Francës.






Të ngjashme