KLD, masa disiplinore për 5 gjyqtarë


KLD, masa disiplinore për 5 gjyqtarë

21:48 15/04/2014 KLDNë një mbledhje të zhvilluar pasditen e sotme Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë masa disiplinore për 5 gjyqtarë.

Pas diskutimeve, si dhe bazuar në disa relacione të dërguara Ministrit të Drejtësisë, nga Zv.kryetari i KLD-së, Këshilli vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit gjyqësor Shkodër Albano Çepele, si dhe transferimin në një gjykatë të një niveli më të ulët për 2 vjet të gjyqtares Elona Gjoka e cila kalon nga Gjykata e Tiranës në atë të Kavajës.

Gjithashtu Këshilli i Lartë i Drejtesisë morri masën disiplinore “Vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra” për gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit të Krujës, Enkelejda Hoxha, Engjëllushe Tahiri dhe Nazmije Pengili.

Në të pesë rastet e propozuar për procedim disiplinor, konstatimi i shkeljeve të bëra nga ana e gjyqtarëve ka qënë iniciativë e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bazuar në verifikimin e ankesave të qytetarëve të mbërritura pranë këtij institucioni, ankesa të cilat konsistonin në: zvarritje e pajustifikuar e procesit gjyqësor, duke përfshirë edhe vonesat e pajustifikuara në zbardhjen e vendimeve, shkelje haptazi e ligjit procedural dhe moszbatim i vendimeve unifikuese.

Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, u shpreh se KLD, nuk do të hezitojë asnjëherë, që ato gjyqtarë, të cilët do të guxojnë të shkelin dhe mosrespektojnë ligjin, do të përballen me masa tepër të ashpra.





Të ngjashme