Klosi: Inceneratori i Fierit përfundon në Dhjetor
“Pas 4 vitesh firma do ia kalojë investimin Bashkisë”
Akuzave të opozitës se janë dhënë para për inceneratorin e Fierit i cili nuk ekziston, u është përgjigjur ministri i Turizmit Blendi Klosi. Ai ishte në këtë incenerator dhe tha se kompania është brenda kontratës. Sipas tij investimi përfundon në Dhjetor dhe 4 vjet më pas impianti do t’i kalojë Bashkisë.
“Brenda 7 viteve që ka jetën ky incenerator për ti kaluar pastaj bashkisë pra koncesioni është për 7 vjet dhe 3 vjetët e para janë për të ndërtuar impiantin dhe 4 vite për të bashkëpunuar kompania me bashkinë për të gjetur mënyrën e menaxhimit për të grumbullar të gjithë mbetjet nga i gjithë qarku në këtë impiant dhe pastaj impianti i kalon përfundimisht bashkisë”.
I shoqëruar edhe nga kryebashkiaku i Fierit, Klosi tha se ky do të jetë një investim modern dhe se vonesat kanë qenë për arsye që tashmë dihen.
“Ju i dini problematikat e zonës, këtu kemi zgjedhur një vend të ri që është kthyer në një landfill super modern dhe shumë shpejt do të jetë real dhe i domosdoshëm”.
Klosi garantoi se incenerartori i Fierit do t’i japë fund problemit të mbetjeve në këtë qark duke shtuar se përpunimi nuk do ketë asnjë impakt negativ në mjedis dhe se fermerët mund të përdorin ujin e tij për vadije ose për serat e zonës.
Tv Klan