Klubet shtojnë presionin për ndryshimin e ligjit për sportin


Klubet shtojnë presionin për ndryshimin e ligjit për sportin

16:05 10/09/2020

Asnjë skuadër nuk ka nisur stërvitjen

Klubet shqiptare të Superligës duhet të ishin në seancat e fundit stërvitore në përgatitje të ndeshjeve të javës së parë të kampionatit të ri të futbollit. Por të gjithë skuadrat rikonfirmuan edhe pak ditë më parë se nuk do të zbresin në stadiume më 12 Shtator.

Kërkojnë nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë të rishikojnë ligjin për sportin dhe sponsorizimet. Këtë ua bënë të qartë të dy institucioneve të larta shtetërore edhe zyrtarisht, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Klubet duken të vendosur të mos bëjnë asnjë hap në drejtim të zhvillimit normal të ndeshjeve të futbollit për sezonin 2020 – 2021, pa u plotësuar kërkesat e tyre.

Nga ana tjetër Federata e Futbollit është në një pozicion të vështirë. Organizmi shqiptar përgatiti kalendarin e ri, si dhe hodhi edhe shortin për zhvillimin e ndeshjeve.

Por çfarë ndodh tashmë që klubet nuk do të paraqiten për të nisur sfidat e reja. Si do të konsiderohet vendimi i tyre, si bojkot, dhe do të merren masa apo administrata e FSHF do të komunikojë shtyrjen e ndeshjeve, javë pas jave derisa liga profesioniste të marrë vendimin për të kthyer futbollin në vend.

Pritet një reagim por federata dhe klubet e futbollit mbeten me sy e veshë nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë.

Tv Klan






Të ngjashme