Klubi i PSG tërbohet me Mbappe
Intervista e paautorizuar e Kylian Mbappe ku ai pohoi se i kishte kërkuar klubit parisien që ta shiste te Real Madridi në fund të Qershorit, ka tërbuar PSG-në. Frika e sheikëve është se fjalët e tij mund të ndikojnë në dhomat e zhveshjes. Por edhe tifozët parisienë janë të mërzitur nga 22-vjeçari, e janë gati që ta tregojnë këtë me fishkëllima në sfidat në “Parc de Prince”.
Mediat në Francë shkruajnë se këto javë do të jenë të vështira për sulmuesin, i cili tani është i angazhuar me kombëtaren, por kur të kthehet në Paris do të ketë presion më shumë se kurrë.
Që nga muaji Janar, Mbappe do të ketë të drejtën që të firmosë me Realin, gjë që ai e dëshiron.
Sheikët kanë kohë tri muaj që t’ia ndryshojnë mendjen yllit francez. Ata refuzuan në fund të Gushtit 200 milionë euro nga Reali.
Por “Galaktikët” vazhdojnë me presingun e tyre për Mbappe. Veprimet e tyre shikohen si provokime nga drejtuesit parisienë, të cilët janë më të inatosur se kurrë më parë me gjigandët spanjollë.
Klan News