Klubi Studenti, intervistë (30 Korrik 1999)
Intervistë me një pjesëtar të stafit të klubit “Studenti”.
“Nga 20 ekipe që janë pranë klubit sportiv Studenti me 10 lloje sporti, 8 ekipe janë shpallur kampion kombëtar, 8 të tjerë nënkampion dhe 4 ekipe në vendin e tretë në kampionatin kombëtar ku ata bënin pjesë. Natyrisht ky bilanc është i gëzueshëm dhe optimist për të ardhmen për të hyrë në sezonin 1999-2000 me pikësynime dhe objektiva më të qarta pas kompletimit të ekipeve tona me sportistë të rinj dhe cilësore. Pas merkatos në sportin e volejbollit dhe në merkaton që jemi tani në sportin e basketbollit mendojmë që pretendimet tona me një punë më të kualifikuar, me një punë më me kualitet më me cilësi nga trajnerët, sportistët dhe gjithë stafi drejtues i klubit do të jenë akoma më të larta. Puna parapërgatitore e ndërtuar nga ana jonë në bashkëpunim me trajnerët dhe gjithë stafin e klubit filloi me datën 1 Korrik ku të gjithë ekipet e klubit, rreth 120 sportistë në ditë transportohen nga Tirana në plazhin e Durrësit për qëllimet e tyre kurative, pushuese dhe për një punë të lehtë parapërgatitore për të filluar me datën 1 Gusht periudhën përgatitore në kushte sa më optimale. Në këtë kuadër në plazhin e Durrësit është bërë një punë e mirë me ekipin e mundjes, me ekipin e atletikës, me ekipet e volejbollit, me ekipet e basketbollit që në këtë sport klubi sportiv Studenti ka të tjera synime e pikësynime për të luftuar për titull, qoftë për meshkuj, qoftë edhe për femra. Do t’i bëja thirrje Ministrisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit, Federatave Sportive të vendit tonë të cilat të jenë më korrekte, më konçize në punën e tyre dhe mos e ndërtojnë punën e tyre në formë globale dhe konjukturale për të arritur synimet e ndonjë klubi të veçantë në ndonjë sport të veçantë. Shpreh bindjen në emër të gjithë stafit drejtues, të trajnerëve dhe të sportistëve që klubi sportiv Studenti do të jetë në pararojë të sportit shqiptar për t’i dhënë atij impulse të reja e rezultate sa më të larta.”/tvklan.al