Kokaina e fshehur në ngarkesën me pula, autoritet shqiptare nisin hetimet


Kokaina e fshehur në ngarkesën me pula, autoritet shqiptare nisin hetimet

15:00 25/10/2016

Pas sekuestrimit të 19 kilogramëve kokainë në portin e Gioia Tauro-s, në Reggio Calabria, të cilat kishin destinacion përfundimtar portin e Durrësit, autoritet shqiptare kanë nisur një hetim për pritësin e ngarkesës.

Prokuroria në bashkëpunim me policinë kanë identifikuar firmën, e cila priste ngarkesën ne Durrës, emri i të cilës nuk bëhet publik për shkak të hetimeve që po kryhen.

Droga ishte e fshehur në një kontenier i cili transportonte pula të ngrira nga Brazili. Pala shqiptare është në kontakt të vazhdueshëm më autoritet italiane, të cilat nga ana e tyre kanë kërkuar ndihmë në hetimin e kësaj çështje.

Të dhënat për personat, që janë të implikuar në këtë linjë trafiku të kokainës, janë të pakta. Policia italiane ditën e hënë nuk bëri të ditur nëse ka të ndaluar dhe për sa kohë ka qenë aktiv ky grup. Edhe hetuesit shqiptarë nuk japin detaje, duke sqaruar se për momentin kanë nisur një hetim të tyrin.

Sipas një përllogaritjeje nga autoritetet italiane, nëse do të hidhej në treg droga e sekuestruar do t’u sillte trafikantëve rreth 4 milionë euro përfitime.

Reggio Calabria cilësohet si një nyje kyçe në këtë trafik. Vetëm në portin e Gioia Tauro-s janë sekuestruar mbi 1100 kg kokainë e cilësisë së parë që nga fillimi i këtij viti./ TV KLAN






Të ngjashme