Kokaina kolumbiane kapet në Elbasan – (4 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Droga e kapur në Elbasan pak ditë më parë, nuk është heroinë, por kokainë. Kështu kanë pohuar oficerët e policisë së Elbasanit dhe prokurori Bigas Lina, pas ekspertizës së bërë 24.1 kilogramë drogë të kapur nga kryepolici Koseni dhe policët e tij. Deklarata e bujshme është bërë nga vetë prokurori Lina, sot në seancën gjyqësore, për vendosjen e masës së arrestit pronarëve të drogës.
Për Iljaz dhe Fadil Demaj, si dhe Idajet Karain, gjyqtarja elbasanase Pajtime Fetau vendosi si masë burg pa afat, kurse për Miklovan Demaj, gjykata vendosi si masë arresti 30 ditë burg. Por sigurisht më bujë ka bërë ndryshimi i papritur i emërtimit të drogës, që ditën e sekuestrimit nga policia u etiketua heroinë. Ekspertiza pohoi që droga është kokainë dhe vlera e saj i kalon disa miliona dollarë.
Kokaina është droga më e shtrenjtë dhe vendi i prodhimit të saj është vetëm Kolumbia. Kjo e ndërlikon akoma më shumë prejardhjen e saj në Elbasan. 24.1 kilogramë kokainë e kapur nga komisar Koseni është sasia më e madhe e drogës e sekuestruar jo vetëm nga policia shqiptare, por dhe nga homologët e saj në Europë këto vitet e fundit./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj