Shqipëria barazon sërish
Një penallti e mohuar dhe dy raste për shënim. Vetëm kaq mund të veçohet nga ndeshja e Shqipërisë në Lituani. Lojë e vakët dhe me pamundësi për të realizuar dëshirën që kishin futbollistët.
Të rinjtë e kombëtares mund të thuhet që e justifikuan veten ndaj Lituanisë. Dëshira e tyre për të bërë mirë nuk mungoi, por fakti që ata kanë pak eksperiencë në ndeshje ndërkombëtare me një ekip përfaqësues ndikoi dhe kjo u duk qartë.
Ndryshimet e bëra nga Edi Reja në formacion tentuan të justifikonin besimin e dhënë nga trajneri, por kjo nuk solli atë çka kërkohej më shumë nga kjo ndeshje, fitoren dhe kreun e grupit.
Në pjesën e parë kuqezinjtë bënë shumë presion, por mungoi finalizimi. Në mesin e këtij 45 minutëshi, rezultati mund të kishte ndryshuar. Një lojtar i Lituanisë preku topin me dorë, kjo ishte mjaft e dukshme për të gjithë por jo për arbitrin kryesor i cili nuk akordoi 11-metërsh.
Përpjekja më e qartë për të shënuar erdhi në minutën e 37, kur Seferi goditi mjaft mirë por portieri vendas ishte i vëmendshëm.
Në pjesën e dytë Shqipëria kërkoi sërish të gjente golin. Reja freskoi skuadrën me 3 ndryshime. Mihaj në vend të Kumbullës, Vrioni në vend të Brojës, dhe Çekicin në vend të Laçit.
Erdhi sërish edhe rasti tjetër, për shënim. Seferi ishte i vetëm përballë portierit në minutën e 65. Goditja e tij u ndal nga portieri.
Përfundoi me një mundësi të humbur nga Trashi. Mbrojtësi goditi me këmbën e djathtë që nuk është më e mira e tij dhe topi përfundoi mbi portë. Shqipëria dhe Lituania kanë nga 5 pikë në renditjen e grupit.
Tv Klan