PD: Komision Hetimor për inceneratorët dhe “Bechetti”
Deputetët e opozitës dorëzojnë kërkesat në parlament
Jo vetëm zgjedhjet e 25 Prillit, por edhe çështja e inceneratorëve do të jetë objekt i hetimit parlamentar nga opozita, e cila depozitoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e tij.
Nënkryetarja e demokratëve, të cilës Lulzim Basha i ka besuar kryesimin e këtij komisioni, Jorida Tabaku, tha se opozita kërkon verifikimin e ligjshmërisë së të gjithë hapava që janë marrë për tre inceneratorët, atë të Fierit, Elbasanit e Tiranës, duke e cilësuar një ndër aferat më korruptive të qeverisë.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur një shkelje të jashtëzakonshme sidomos me inceneratorin e Tiranës, një kontratë e nënshkruar për 120 milionë Euro që në fund të ditës po paguan mbi 300 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë që flasim, nuk ka akoma asnjë të hetuar përpara drejtësisë. të paktën kryeministri dhe z. Ahmetaj, si dy persona kyç në aferën e inceneratorëve, duhej të ishin sot në hetim.”
Demokratët dorëzuan gjithashtu edhe kërkesën për ngritjen e një tjetër komisioni hetimor, atë për çështjen Bechetti, që sipas tyre do i kushtojë taksapaguesve shqiptarë 120 milionë euro dëm.
“Duke iu drejtuar drejtësisë me këto fakte që ky komision duhet të nxjerrë duhet më në fund të mos e paguajnë shqiptarët që nuk kanë asnjë faj, por ata që e nisën me koshiencë dhe me vetëdije, por edhe me paaftësi, këtë çështje që i shkon sot shqiptarëve 120 milionë euro dëm.”
Komisioni hetimor për çështjen Bechetti do të kryesohet nga Grida Duma.
Tv Klan