Komisioneri i ri për Zgjerimin shpalos programin para PE


Komisioneri i ri për Zgjerimin shpalos programin para PE

15:51 14/11/2019

“Prioritet negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”

Oliver Varhej është emri i ri i propozuar nga Hungaria për postin e Komisionerit të Zgjerimit, pas refuzimit të kandidaturës së Lazlo Torçanjit. Në planin që shpalosi para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ai veçoi si prioritet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Edhe pse nuk ia dolëm që të arrinim të hapnim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin europian të Tetorit, ka një mbështetje totale për perspektivën europiane të këtyre vendeve. Puna ime është që të zgjidh të gjitha problemet që janë ngritur gjatë debatit në Këshillin e Ministrave. Unë do jem në kontakt me shtetet anëtare që kanë shqetësime dhe do punoj me to në mënyrë shumë domethënëse që prej ditës sime të parë në detyrë. Ne duhet të sigurojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të hapin negociatat e anëtarësimit para samitit të Zagrebit. Duhet të fokusohemi tek shqetësimet për kërkesat e rreme të azilit, korrupsionit dhe çështjet e tjera të sundimit të ligjit. Do të angazhohem me partnerët tanë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut që të minimizojmë këto shqetësime dhe të përmbushim kriteret”.

Varhej propozon një mekanizëm të ri në misionet fakt mbledhëse të Komisionit Europian, përfshirjen e ekspertëve të vendeve skeptike si Franca, Holanda dhe Danimarka, që sipas tij të mos ketë surpriza në vlerësime.

“Nuk besoj, se duhet ndryshuar e gjithê korniza e zgjerimit. Mendoj, se metodologjia duhet të përmirësohet për të dhënë më shumë dinamizëm për shtete kandidate që mund të ecin më shpejt dhe nga ana tjetër të ngadalësojmë procesin e anëtarësimit për ata që nuk bëjnë progres. Unë kam qenë i pranishëm në debatet e Këshillit të Ministrave vitin e shkuar dhe këtë vit. Ajo që kam parë është një dështim për shkak të vlerësimeve të ndryshme të situatës. Prioriteti im është të kemi një vlerësim të përbashkët të shteteve anëtare dhe të Komisionit kur vjen fjala për faktet në terren. Dua të përfshij shtetet anëtare në misionet tona faktmbledhëse që të vijnë dhe të mbulojnë të gjithë rajonin së bashku. Të shohim faktet, zhvillimet dhe t’i vlerësojmë ato së bashku, që të evitojmë një dështim tjetër. Në këtë mënyrê, do kemi një listë të qartë të arritjeve nga të dyja anët, Ballkanit Perëndimore dhe BE-së dhe kështu s’do kemi më surpriza. Lidhur me pyetjen ndaj lidershipit francez, nuk është vetêm lidershipi francez që duhet të bind. Duhet të bind edhe lidershipin holandez dhe danez”.

Lidhur me sanksionet e mundshme për shtetet kandidate që shënojnë regres në procesin e anëtarësimit apo cënojnë parimet kryesore të demokracisë dhe shtetit ligjor, Varhej ka thënë, se do të përdorë qasjen hap pas hapi që mund të çojë në pezullimin e fondeve të para anëtarësimit. Komisioni i Punëve të Jashtme vendos sot pasdite nëse Olivier Verhelyi e kalon testin e Parlamentit Europian apo jo.

Tv Klan






Të ngjashme