KiE: Autoritetet të shmangin dhunën e tepruar
“Hetim të plotë dhe të paanshëm për teprim të forcës”
Këshilli i Evropës ka reaguar pas situatës së krijuar si pasojë e përleshjeve të dhunshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, gjatë protestave nga policia për 25-vjeçarin Klodian Rasha. Në një deklaratë për shtyp, komisionerja për të drejtat e njeriut Dunja Mijatoviç u bën thirrje autoriteteve të shmangin dhunën e tepruar.
“Autoritetet shqiptare duhet të tregojnë përmbajtje gjatë mbajtjes nën kontroll me policë të manifestimeve. Përgjigja ndaj pandemisë COVID-19 nuk u jep autoriteteve të drejtën për të përdorur forcë policore kur ka grumbullime. Policia duhet gjithashtu të bëjë dallimin midis individëve të përfshirë në dhunë dhe atyre që demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të përmbahet me përdorimin pa kriter të forcës. Për më tepër, çdo ndalim i fëmijëve duhet të kryhet vetëm si një masë e fundit dhe duhet të respektojë plotësisht të drejtat e tyre procedurale”.
Mijatoviç u bën thirrje autoriteteve të hetojnë me paanshmëri dhe me hollësi të gjitha pretendimet për përdorim të tepruar dhune.
“Autoritetet duhet të garantojnë hetime të hollësishme, të pavarura dhe efektive për pretendimet për përdorim të tepruar dhune. Ata duhet në çdo kohë të demonstrojnë tolerancë zero ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit të përfshirë në përdorimin e tepruar të forcës, të cilët duhet të identifikohen, të dërgohen para drejtësisë dhe të sanksionohen në përputhje me praktikën gjyqësore përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Udhëzimet për Çrrënjosjen e Mosndëshkimit për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut miratuar nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës në 2011”.
Shqetësim shprehet edhe për ndalimin dhe sulmet ndaj gazetarëve që mbuluan manifestimet, ndërsa kërkojnë nga autoritetet të sigurojnë gazetarët përballë akteve të dhunës dhe kërcënimeve, për një informim të drejtë.
Tv Klan