Komisioni Bufi-Ngjela për verifikimin e listave të votuesve – (11 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Komisioni parlamentar për verifikimin e listave të votuesve, ka diskutuar sot një procedurë të re, për të kryer këtë proces. Formula e paraqitur disa ditë më parë, që parashikonte angazhimin e komisioneve zgjedhore të qeverisjes vendore në verifikimin në zyrat e gjendjes civile të emrave të votuesve, nuk u pranua nga KQZ. Në këto komisione nuk është përfshirë Partia Demokratike.
Anëtarët e komisionit parlamentar Bufi-Ngjela, parashikojnë edhe angazhimin e komisioneve të qendrave të votimit të cilat kanë bazë më të gjerë partiake në verifikimin e listave. Në këtë komision ekspertët kanë raportuar për mangësitë në lista, që rezultojnë jo më pak se 1% e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Në mbledhjen e nesërme, komisioni Bufi-Ngjela ka ftuar kryekomisionerin Celibashi, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për palët. Në këtë fazë data 15 Prill-25 Maj, KQZ, do të publikojë listat paraprake të votuesve, në të cilat partitë politike, do të propozojnë korrigjimet e duhura./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame