Komisioni Hetimor për CEZ, Berisha largohet sërish pa dëshmuar


Komisioni Hetimor për CEZ, Berisha largohet sërish pa dëshmuar

18:37 28/02/2017

Ka dështuar edhe këtë të martë Komisioni Hetimor për Çështjen CEZ, ku i pranishëm ishte djali i ish – Kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Vetëm disa minuta pas mbërritjes në Komision, mes Berishës dhe kryetarit Taulant Balla ka pasur një debat të ashpër, që çoi në largimin e dëshmitarit Berisha nga Komisioni.

Debati

Berisha: I dënuar kryetar, i nderuar nënkryetar.

Balla: E di që ke ardhur të bësh teatër, këtë mbledhje e drejtoj unë, ule zërin. E di që ke ardhur për të bërë teatër dhe për të fyer institucionet.

Berisha: Nuk je i dënuar, je shpifës.

Balla: Na rezulton nga prova që ka Komisioni.

Berisha: Gjykata të ka shpallur shpifës.

Balla: Ke ardhur për teatër, mbyllini zërin Berishës. Ju sqaroj se unë jam këtu për të sqaruar gjithë opinionin publik për të gjithë kërkesat që janë njësoj.

Berisha: Do ikësh dhe ti si Prenga, do përfundosh si palaço i Ramës.

Balla: Asnjë njeri nuk e merr fjalën pa ia dhënë unë.

Berisha: Ma thatë ju.

Balla: Jeni mësuar nga babai juaj. Ti zotëri nëse nuk bën betimin dil përjashta. Garda e Republikës të nxjerrë jashtë zotërinë dhe do të paditet për fyerje të institucioneve. Komisioni do të marrë masat për këto që fyen ligjin.

Pas kësaj, i shoqëruar nga punonjës të Gardës, Shkëlzen Berisha la punimet e Komisionit, ndërsa kryetari Balla më tej u shpreh:

Ky person nuk pranon të bëjë betimin para këtij komisioni. Fakti që për të tretën herë radhazi vjen dhe nuk bën betimin. Ne sot e kishim thirrur dëshmitari për ta pyetur për shumë çështje.

Ka prova që Nuel Kalaj ka negociuar nën tavolina, ka negociuar gjithë procesin e shitjes së aksioneve të kompanisë shtetëror OSSH drejt kompanisë CEZ.

Nuk kemi asnjë dyshim dhe nuk e fsheh. Ky Komision nuk ka dyshime që biznesmeni Nuel Kalaj ka pasur lidhje dhe kontaktonte ministrat e asaj kohe. I lutem mediave, një provë shumë e rëndësishme që e lidh këtë person me pagesa të dyshimta. Falenderojmë bankën e nivelit të dytë, e cila na ka sjellë një prej transaksioneve të ardhura në llogarinë e dëshmitarit që sapo u largua, Shkëlzen Berisha.

Ky dëshmitar, që s’ka paguar asnjë taksë për të ardhurat.

 Ky dëshmitar, vetëm 6 ditë nga tërheqja e famshme e 6.8 mln eurove nga llogaria e Nuel Kalaj ka marrë 200 mijë euro nga Ismail Mulleti. Ky është transaksioni financiar.

Ndaj ky person fshihet pas palëve, të një vendimi të një gjyqtari të emëruar nga babai. 

Ndërkohë, pas largimit nga Komisioni, Shkëlzen Berisha, në një deklaratë për gazetarët u shpreh kundra drejtimi të Komisionit nga kryetari Taulant Balla. Kërkesa e djalit të ish – Kryeministrit Berisha, ishte e njëjtë me atë të deklaratave të fundit, ku kërkon largimin e Ballës.

“Kam ardhur 4 herë, pavarësisht se kam thënë deklarata publike kam pasur vetëm një kërkesë, që Komisioni të mos drejtohej nga një person si kryetari aktual, i cili është i dënuar për shpifje. Ai e drejton Komisionin në shkelje me ligjin. Nuk pranoj të bëhem pjesë e teatrit të tyre, do i drejtohem gjykatës që palaçot të marrin atë që meritojnë”. 

/tvklan.al






Të ngjashme