Komisioni i Ekonomisë (6 Dhjetor 1999)
Të mërkurën në Parlament, Deputetëve do tu paraqitet projektbuxheti i ri për vitin 2000 nga kabineti qeveritar i kryesuar nga Kryeministri Ilir Meta. Sot në komisionin e ekonomisë dhe financave janë paraqitur drejtues të Ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore me kërkesa për shtesa në fondet e planifikuara në buxhetin e ri.
Nga Ministria e Mbrojtjes janë kërkuar 1.2 miliard lekë shtesë për të mbuluar shpenzimet dytësore. 5 milion lekë të reja u kërkuan për Spitalin Ushtarak ku tani kryhet gati 1/3 e kurimeve për të sëmurët. Përpara miratimit në Parlament të projektbuxhetit duhen miratuar ndryshimet në taksat doganore dhe ne procedura tatimore.
Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i lihen 2 % e arkëtimit të të ardhurave për modernizimet e mjediseve të punës dhe për shpërblimin e punonjësve. Tani tatimpaguesit përcaktojnë vetë masën e tyre tatimore ndaj shtetit. Nëse nuk deklaratohet vlera reale merren masa ndëshkuese ndaj tyre, si sekuestrimi i pasurive ku 50 % e të ardhurave tatimore të padeklaruara i jepen organeve tatimore që i zbulojnë gjatë kontrollit.
Tatimpaguesit dënohen me gjobë që shkon deri në 100 mijë lekë për mungesë të certifikatës tatimore dhe dokumentacionin përkatës për mallra apo për udhëtarët. Për ankimet ndaj organeve tatimore do të ngrihet komisioni i apelit të tatimeve i përbërë prej 5 anëtarësh të cilët zgjidhen nga Ministri i Financave në një periudhë 4 vjeçare./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame