Komisioni i Jashtëm: Ndërhyrja e deputetëve grekë në Himarë, antikushtetues (20 tetor 2000)
Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme ka hartuar deklaratën për Himarën e cila do të miratohet të hënën në seancën e parë plenare të Parlamentit. Në këtë deklaratë, komisioni i jashtëm parlamentar denoncoi ndërhyrjen e deputetëve grekë në procesin zgjedhor në Himarë. Si antikushtetues dhe në kundështim me kodin elektoral.
Parlamenti shqiptar thekson se këto veprime nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë mes dy vendeve. Krahas deklaratës për Himarë, Komisioni i Jashtëm Parlamentar diskutoi një tjetër deklaratë, atë për zgjedhjet lokale të 28 tetorit në Kosovë.
Në këtë deklaratë i bëhet thirrje faktorëve shqiptarë që të kenë unitet në kushtet e reja të krijuara në Serbi. Komisioni i Jashtëm ka mbështetur dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në takimet e nivelit të lartë të presidentëve ballkanik në Shkup. Në këtë takim do të marrë pjesë dhe presidenti i ri i Jugosllavisë, Koshtunica. /tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame