Komisioni i ligjeve, koncensioni në industrinë e bakrit – (15 Dhjetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Komisioni parlamentar i ligjeve ka shtyrë sot shqyrtimin e projektligjit që synon privatizimin e industrisë së bakrit. Në këtë projektligj parashikohet miratimi i marrveshjes së koncensionit në industrinë e bakrit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit dhe shoqërisë amerikane “The metal research group”. Gjithashtu do të përcaktohet ligjërisht dhe dhënia e disa stimujve dhe garancive për koncensionarin e kësaj marrëveshje.
Komisioni i ligjeve ka kërkuar kohë për të analizuar materialin e paraqitur për këtë projektligj, por sipas deputetëve të dhënat e paraqitura nga specialistët nuk janë bindëse. Kompania amerikane do të marrë në koncension industrinë e bakrit dhe vendburimet e reja dhe ato që lidhen me skemën respektive teknologjike të prodhimit për të cilat parashikohen investime të ndjeshme.
Në 5 vitet e para të koncensionit do të kryhen 75 milion dollarë investime, për shtimin e rezervave të bakrit dhe shfrytëzimin e burimeve të reja. Sipas argumentave të specialistëve dhënia më koncension i industrisë së bakrit, do të siguroj vazhdimin e prodhimit të bakrit dhe do të ndikoj mjaft për punësimin./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego