Komisioni i medias projektligj i ri për shtypin e shkruar – (11 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Shtypi i shkruar do të ketë së shpejti ligjin e ri, që do të zëvendësojë modelin amerikan, të miratuar përpara disa vitesh nga parlamenti shqiptar. Një grup anëtarësh të komisionit të medias dhe jurist, bazuar në praktikat e Këshillit të Europës, prej tre muajsh kanë hartuar projektligjin e ri. Sipas kryekomisionerit për mediat, Halil Lalaj, krahas rishikimit të disa neneve të kodit penal, do të krijohet urdhri i gazetarit, një institucion që do të ndjek zbatimin në praktikë të ligjit të ri.
Halil Lalaj:- “Ka dy shtylla kryesore, e para është një sistem rregullash, për ecurinë, ose mbarëvajtje e shtypit dhe e dyta ngritja e një organizmi vetërregullues të shtypit, si psh. të ketë një urdhër të gazetarit”.
Ndërkohë brenda komisionit parlamentar të medias, ka kundërshtime për këtë projektligj. Sipas deputetit Blushi, në vend të këtij ligji të ri duhet formuluar kodi i etikës, nga vetë shoqatat e gazetarëve.
“Ndoshta shtypi ka nevojë për një kod etik të gazetarëve, të cilët formulojnë vetë shoqatat e gazetarëve dhe problemet e tjera, kur shtypi cënon të drejtat e njeriut, atëherë sipas kodit penal, mund të parashikohen sanksione dhe mund të dënohen”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame