Kompania ADA AIR nis linjën e re të fluturimeve Tiranë-Rimini – (15 Dhjetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Për herë të parë shoqëria ADA AIR, nis fluturimin për në veri të Italisë. Udhëtim i mrekullueshëm Tiranë-Rimini, do të përshkohet dy herë në javë. Stafi i linjave ajrore, media dhe disa pasagjer, kanë bërë sot përurimin e kësaj linje, e cila do të sjellë lehtësira ne transportin e udhëtarëve, emigrantëve shqiptarë, por edhe investitorëve të huaj.
Pjesëmarrësit në delegacionin shqiptar nisur nga Tirana, janë pritur sot nga presidenti i aeroportit të Riminit dhe drejtori i këtij aeroporti. Kjo rrugë që dikur përshkruhej me traget sot ka një linjë të rregullt dhe të shpejt. Për këdo që udhëton me ADA AIR, çmimi është ekonomik. Nga 20 orë udhëtim trageti, Rimini afrohet me një orë e gjysmë fluturim. Drejtori i menaxhimit Ilir Zeka thotë:
Ilir Zeka:- “Ky destinacion është zgjedhur duke u mbështetur pak a shumë në statistikat që ekzistojnë për pasagjerët shqiptarë dhe italian, që lëvizin nga Italia drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Ne mendojmë se do të jetë një linjë e suksesshme”.
Kjo është linja e dytë për Italinë, pas Barit, që i përgjigjet fluksit të emigrantëve dhe në Italinë e Veriut. ADA AIR është kompania e parë shqiptare e transportit civil, krijuar në vitin 1990, një shoqëri që ka staf drejtimi pilot dhe teknik shqiptar. ADA AIR është anëtare e shoqërisë ndërkombëtare ajrore të transportit botëror./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti