Kompania AMC probleme me shërbimin – (20 Dhjetor 2000)


Kompania AMC probleme me shërbimin – (20 Dhjetor 2000)

09:42 20/12/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

AMC-ja është i vetmi operator në vendin tonë që ofron shërbimin celular. Tarifat e abonimit këtu për t’u pajisur me telefon cilësohen si më të shtrenjtat në botë. Sipas kushteve të kontratës shërbimi bëhet në bazë të abonimit. Por prej 10 ditësh ky shërbim është përkeqësuar në të gjithë telefonat celularë në vendin tonë.

Sipas specialistëve shqiptarë, që punojnë pranë këtij operatori këto anomali janë për arsye të ndërhyrjes në rrjet. Kështu është duke u ndërruar centrali i vjetër, me një të ri, si edhe do të vendosen disa antena të reja. Por pasojat e rëndimit të rrjetit si dhe anomalitë e ditëve të fundit, i vuajnë abonentët.

“Problemi është që nuk po funksionon në rregull. U bënë 3-4 javë që linja nuk del e pastër dhe njëkohësisht, nuk funksionon thuajse fare. Kur i pyet, thonë se jemi në rikonstruksion të AMC, tani të shohim, të presim nëse do të zgjidhet ky problem”.

Radhët e abonentëve këtu janë shtuar. Rreth 40 mijë ka shkuar numri i abonentëve të regjistruar pranë AMC. Në kushte të tilla është rënduar edhe mos rakordimi midis sporteleve të pagesave që bëhen pranë Bankës së Kursimeve dhe atyre që mbërrijnë në AMC. Shërbimi ndërpritet në rastin kur abonenti ka pranë këtij operatori mbi 10 mijë lekë të reja debi. Por pavarësisht kushteve që sanksionohen në kontratë shërbimi përsëri lë për të dëshiruar./tvklan.al






Të ngjashme