Kompania që mashtron qytetarët! Ndërtuesi braktis pallatet
100 familje jetojnë në kushte e skandaloze mes ujërave të zeza, edhe pse pallati i tyre ndodhet në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, në rrugën e Dibrës, apo si njihet ndryshe ‘Selvia’.
Firma ndërtuese sipas banorëve e ka lënë përgjysëm punimet. Pallati nuk ka ashensor ndërkohë që kanalizimet nuk kanë përfunduar. Për pasojë dy katet e parashikuara për parkim janë të mbuluara nga ujërat e zeza.
Banorët flasin të irrituar për situatën e krijuar, jetesa në të cilën është kthyer në një tmerr për ta. Ndërkohë që bëjnë dhe fajtor institucionet e shtetit që kanë lejuar këtë gjendje.
“Na ka lënë në mëshirë të fatit. Do të na zërë kolera”.
“Shteti pse nuk i kontrollon. Ne sërish duhet të paguajmë edhe pse kemi paguar njëherë. Bashkia të ndërhyjë të kontrollojë lejet që ka dhënë përse nuk zbatohen”.
Një tjetër shqetësim i tyre është dhe rrjeti elektrik i pallatit. Siç shihet edhe në pamje, jeta e tyre është çdo ditë në rrezik.
“Na braktisën. Punimet i kam mbyllur vet. Për ashensorin po paguajnë vet familjarët që ti vendosin”.
“Klan Plus” prej ditësh ka ngritur si shqetësim pallatet e papërfunduar që rrjedhimisht nuk kanë as hipotekë. Në zonën e Don Bosko, e njëjta firmë ka shkaktuar të njëjtat probleme duke lënë punimet përgjysëm. Kompania ‘Edal SHPK’ është pjesë e listës së zezë të bërë publike nga kreu i ALUINZI-t. Në Tiranë janë rreth 800 pallate që banorët ende nuk kanë marrë hipotekën e banesave.
Burimi: Klan Plus
Gazetare: Ermelinda Hoxhaj