Komunistët shqiptarë për Kosovën – (14 Qershor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Komunistët shqiptarë revoltohen ndaj pabesisë së ushtarëve rusë që hynë në Prishtinë pa lejen e Natos. Rusët nuk kanë vend në Kosovë pasi kanë luftuar përkrah serbëve kundër shqiptarëve u shprehën udhëheqësit e Partisë Komuniste të Bashkuar, Muharrem Xhafa dhe Agim Xheka. Prishtina nuk duhet ndarë si Berlini pas luftës së dytë botërore thanë ata.
Komunistët janë shtrirë në 26 rrethe me degët e tyre dhe do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Por çfarë i ndan Partitë Komuniste që veprojnë në Shqipëri?
Agim Xheka, Partia Komuniste:- “Për ti ndarë nuk i ndanë asgjë, por ata që ndahen mund të kenë ndonjë sëmundje të vogël karrieriste etj. Komunistët e vërtetë nuk i ndan asgjë”.
Muharrem Xhafa, Partia Komuniste:- “Besoj që akoma i ndajnë disa inate që ne shqiptarët i demostrojmë herë pas here, i shohim të duken në veprimtaritë praktike të njërit apo tjetrit. Prapë në kushtet tona të një vendi të turbullt të një vendi me shumë trazira, me shumë probleme edhe kjo është një gjë që duhet pranuar, është një realitet që do të kapërcehet në të ardhmen”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame