Koncerti në Tiranë (15 Gusht 1999)
Rreth 70 mijë kryeqytetas kanë qënë sot në Sheshin “Skënderbej” për të ndjekur koncertin më të madh të organizuar ndonjëherë në Shqipëri. I paralajmëruar nga media ka qënë këngëtarja kosovare Adelina Ismaili ajo që ka çelur në orën 20:30 koncertin kushtuar mikpritjes shqiptare ndaj 500 mijë refugjatëve të ardhur gjatë luftës në Jugosllavi.
Një aktivitet që u organizua nga Bashkia, Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Bamirës me qendër në Zvicër Open Heart. Pas Adelina Ismailit, grupit rinor multietnik, ka qënë radha e të shumë mirëpriturit dj Bobo për të dalë në skenë.
Brohoritjet frenetike e kanë kthyer këngëtarin e mirënjohur në mbretin e mbrëmjes me këngët e tij të njohura në mbarë botën. Më shumë se një koncert i zakonshëm duket se kryeqytetasit kanë sfiduar jetën e mbushur me politikë kur janë bërë sëbashku aq sa çdo politikan nuk ka mundur dot të mbledhë aq sa për një vit rresht. Ky koncert shënoi një kulm të ri në spektaklet e këtij kalibri për ti hapur rrugë ardhjes së këngëtarëve më të suksesshëm në të gjithë botën./tvklan.al