Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan
Në 4 Shtator Papa Françesku do të shpallë të shenjtë Nënë Terezën. Në vigjilje të ceremonisë, në Bazilikën Papnore të Shën Palit, në selinë e shenjtë të Vatikanit, do të zhvillohet koncerti që do të bëjë bashkë në të njëjtën skenë shqiptarët më të suksesshëm në botë, për të nderuar shqiptaren, nobelisten për paqen, Gonxhe Bojaxhiun.
Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Gëzim Myshketa, Rame Lahaj dhe Shkëlzen Doli, do të këndojnë e interpretojnë në shqip, italisht e anglisht në një koncert që do të zgjasë 90 minuta në mbrëmjen e 3 Shtatorit.
Të ftuar do të jenë Ismail Kadare, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi dhe dy djemtë, protagonistët e filmit “Shok” që do të recitojnë dhe lexojnë thënie të Nënë Terezës.
Në mbyllje do të këndohet himni për Nënë Terezën, një poezi e shkruar nga vetë ajo e titulluar “Lamtumirë” e kënduar nga Inva Mula dhe e kompozuar nga Genc Tukiçi.
I gjithë koncerti dedikuar Nënë Terezës, është ideja e Djana Toskës me mbështetjen e qeverisë së Kosovës.
Tv Klan