Konfederata e Sindikatave për problemet sociale – (10 Nëntor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Për të ulur tensionet në problemet sociale aq të dukshme në Shqipëri, domosdoshmëri mbetet institucionalizimi i dialogut midis Qeverisë dhe Sindikatave si i vetmi institucion që mbron interesat e shtreses së varfër. Situata e shpërblimit të punës qoftë asaj disa vjeçare, po ashtu dhe të atyre që paraqiten çdo ditë në të duket mjaft e rënduar, pa marrë parasysh shifrat e të papunëve.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kërkon rishikim të nivelit të pagës minimale, përmiresim dhe shtim të pagave në sektorin buxhetor dhe pensioneve, njëhsim në një afat sa më të shkurtër të pensioneve të vjetra me ato të reja dhe një dialog social mes palës sindikale dhe shtetit. Kërkesat i bën prezente Kryetari i Konfederatës Kastriot Muça.
Kastriot Muça, Kryetari i Konfederatës:- “Ne nuk kemi qenë dakort dhe u shprehëm sot se nuk jemi dakort që të deklarohet në një mënyrë të njëanshme që pagat dhe pensionet në filim të vitit 2000 do të rriten 8 përqind, sepse kjo, ne mendojmë që është një shmangie e paramenduar e partnereve sociale në këtë rast e Sindikatave por edhe e punëdhënësve sepse ka një Këshill Kombëtar të Punës i cili përbehet nga 5 ministra antarë të kabinetit, 10 përfaqësues të sindikatave dhe 10 përfaqësues të punëdhënësve, të cilët e kanë detyrë të diskutojnë, të dialogojnë, të shqyrtojnë situatën ekonomike dhe sociale dhe t’i japin Qeverisë Shqiptare parametrat për rritjen e pagës”.
Sipas tyre zgjidhja e këtyre problemeve do ti shërbej përmirësimit të nivelit të jetesës të punonjësve, por njëkohësisht dhe kontribuon edhe në stabilitetin e përgjithshëm të vendit./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti