Konferenca e drejtësisë (18 Nëntor 1999)
Sistem Gjyqësor i Pavarur, profesional kundër krimit dhe i pakorruptuar janë këto synimet e krerëve të Drejtësisë Shqiptare të paraqitur sot në konferencën e dytë mbi Reformën Gjyqësore dhe Ligjore në Shqipëri. Ministri i Drejtësisë Ilir Panda ka deklaruar se ka filluar punë procesi për punimin e një strategjie për të ardhmen e sistemit gjyqësor shqiptar. Sistemi ligjor tha ai duhet ti paraprijë një shteti të së drejtës bazuar mbi reformën ligjore dhe institucionale.
Presidenti Mejdani ka kërkuar analizimin e situatës që ka përfshirë këtë sistem. Sipas tij duhet më tepër profesionalizëm, autoritet, pavarësi dhe më shumë përgjegjshmëri. Përfaqësues të Këshillit të Europës dhe OSBE-së kanë theksuar se këto organizma janë të gatshëm të ndihmojnë sistemin shqiptar.
Por ata kanë kërkuar fillimisht që vetë organizmat shqiptarë të identifikojnë problemet më emergjente për të cilën nuk do të mungojnë dhe ndihma e premtuar. Më pas emra të njohur në fushën e drejtësisë kanë trajtuar çeshtje thelbësore që shqetësojnë sot gjyqësorin si kuadri institucional dhe ligjor, pavarësia nga shteti dhe politika, mbrojtja e jetës së prokurorëve dhe gjykatësve e të tjerë.
Ndonëse asnjëherë nuk kanë munguar seminaret dhe konferencat ku janë deklaruar hapur anomalitë e rënda të sistemit gjyqësor, fakt është se ky sistem lë shumë për të dëshiruar. Që nga paaftësia në gjykim, lëshimi i kriminelëve apo duart e korruptuara. Sipas një pjesëmarrësi konferenca më e mirë për drejtësinë është dhënia e saj në sallat e gjyqit./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego