Konferenca e NATO-s për 50 vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut (17 Qershor 1999)
NATO ka ulur sot në të njëjtën tavolinë pozitën dhe opozitën. Në konferencën për 50 vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Kryeministri Majko ka përsëritur kërkesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe qëndrimin afatgjatë të Aleancës në Rajon.
Pandeli Majko: “ Institucionet dhe jo individët duhet që më në fund të udhëheqin botën, pjesë e pandashme e procesit të ndihmës në këtë rajon një nga hapat e parë e shndërrimit të kontinentit të Europës në një shtëpi të përbashkët të të gjithë europianëve është dhe NATO dhe filozofia e saj tek e cila Shqipëria synon përfshirjen e plotë dhe shpreh bindjen për një prani afatgjatë të saj në rajon si një kusht i parë i domosdoshëm për garantimin e stabilitetit dhe paqes në rajon”.
Kryetari i Shoqatës së Atlantikut të Veriut, Alfred Moisiu e arsyetoi kundërshtimin e Shqipërisë ndaj pranisë së trupave ruse në Kosovë me pjesëmarrjen e tyre përkrah serbëve në masakrat ndaj shqiptarëve. Rusët duan të realizojnë planin serb për ndarjen e Kosovës, tha Moisiu, por NATO nuk do t’i lejojë.
Nënkryetari demokrat Pollo theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO duhet të jetë objektivi kryesor për Qeverinë Shqiptare. Ky mendim u përkrah nga gjithë pjesëmarrësit në konferencë./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame