Konfindustria kundër uljes së normës bazë të interesit


Konfindustria kundër uljes së normës bazë të interesit

15:01 08/05/2016

Konfederata e Industrive të Shqipërisë, që përfaqëson mbi 300 biznese, shprehet kundër uljes së normës bazë të interesit, e cila preku nivelin historik me 1.25%  me uljen e fundit nga Banka e Shqipërisë.

Konfindustria thotë se kjo ulje nuk pritet të japë ndikim në shtimin e nivelit të kreditimit dhe si rrjedhim pamundëson rritjen e domosdoshme të investimeve, konsumit dhe rritjen ekonomike.

Në një njoftim për mediat, Konfindustria thotë se duke u bazuar në politikat fiskale të paarsyetuara në vend, shkallën e lartë të monopolizimit dhe tregjeve të ekonomisë shqiptare, si edhe shkallën e pamjaftueshme të konkurrencës në sistemin bankar dhe financiar, politikat monetare të Bankës së Shqipërisë janë objektivisht të paracaktuara të dështojnë.

Në një analizë të bërë mbi efektet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, Konfindustria thotë se në gjithë vitet e krizës globale, duke filluar nga vitet 2008-2009 e në vazhdim, politikat monetare të bankës qendrore kanë qenë të pasuksesshme për të penguar rënien ekonomike në vazhdimësi.

Këtë sipas, Konfindustrisë e konfirmon niveli i ulët i kreditimit, i cili është në kufirin më të ulët ndër vite duke kushtëzuar drejtpërdrejt rritjen e dobët ekonomike të shpresuar të vendit dhe kalimin në kufijtë, pothuaj deflacionist të ekonomisë.

Qëndrimet skeptike për efektet e uljes së normës bazë të interesit në ekonomi i kanë shprehur edhe ekspertë të ndryshëm. Ata thonë se Bankës së Shqipërisë po i shterojnë instrumentet që ka për stimulin e rritjes ekonomike dhe nevojiten reforma të tjera për të përmirësuar klimën e biznesit.

Tv Klan

 






Të ngjashme