Konflikti Kosovë – Serbi “ngec” orën europiane
Krerët europianë shpesh herë kanë përsëritur se dialogu dhe dakortësia mes Kosovës dhe Serbisë, është në interesin e të dy vendeve. Por pajtimi mes Prishtinës dhe Beogradit është në të mirë edhe të shumicës së vendeve europiane, të paktën sa i përket furnizimit me energji elektrike.
Sipas një raporti të Operatorit Europian të Transmetimit të Energjisë Elektrike, konflikti mes dy vendeve në rrjetin elektrik, ka provokuar defiçenca në rrjet, sa i përket frekuencës se sinkronizuar në kontinent.
Këto mangësi kanë devijuar dhe kanë çuar deri në 6 minuta prapa, të gjitha orat elektronike të lidhura me elektricitetin, siç janë ato të furrave, radiove apo edhe alarmeve elektronikë.
25 vende në Europë, përfshirë Spanjën, Poloninë, Holandën apo edhe Turqinë janë të lidhura në një rrjet furnizues të energjisë elektrike.
Operatori Europian i Transmetimit njofton se Serbia ka detyrimin të plotësojë kërkesat e Kosovës për energji, duke qenë se vetë Kosova nuk gjeneron mjaftueshëm elektricitet për nevojat që ka. Mirëpo prej vitesh Serbia nuk e plotëson këtë detyrim.
Nëse europianët kanë mangësi në pajisjet elektronike apo vonohen për të shkuar në punë, kjo mund të ndodhë edhe për shkak të konfliktit Kosovë – Serbi.
Tv Klan