Konflikti me Radion +2, prononcohet Nikoll Lesi (4 Gusht 1999)


Konflikti me Radion +2, prononcohet Nikoll Lesi (4 Gusht 1999)

11:38 04/08/1999

Drejtuesit e Radios +2 kanë pranuar sot se kërkesa e tyre për të transmetuar ngjitur frekuencës së Radio Klan nuk është pranuar nga institucionet shtetërore. Kjo një ditë pasi drejtuesit e Entit të Rregullimit të Telekomunikacioneve që japin lejet përkatëse përgënjeshtruan për TV Klan, lajmin e botuar tre ditë rresht nga Radio +2, se kjo radio ka hyrë me leje në frekuencën e Radios Klan. Për këtë konflikt sot është prononcuar botuesi i njohur Nikoll Lesi njëkohësisht dhe sekretari komisionit parlamentar për median.

Nikoll Lesi: Jam njohur këto ditë nga Televizioni juaj dhe nga Gazeta Shekulli e Koço Kokëdhimës për polemikat që kanë shpërthyer mes kompanisë suaj të medias dhe kompanisë 2K. Mendoj që me këtë rast duhet të ndërhyjë Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve që sapo është krijuar dhe që të zgjidhë këtë konflikt të filluar mes dy palëve. Megjithëse aty në dy deklaratat e dy palëve në fakt thuhet që do të përdoren dhe mjete të tjera. Unë po pres të shoh cilin mjet do përdorni dy palët.

Gazetarja: A është marrë ndonjë leje, edhe ju keni marrë ndonjë leje për frekuencat e Radios Koha ose Radio Klan, a është dhënë një leje për gjitha këto radio?

Nikoll Lesi: Deri më sot asnjë radio asnjë televizion privat, qoftë kombëtar apo lokal nuk ka licensë të rregullt. Sepse si kudo në Europë, Itali, Greqi në gjitha vendet që kam vizituar dhe jam njohur me praktikën, Radio dhe Televizionet kanë filluar pa licensë. Sot në Greqi bëhet akoma një polemikë e madhe mes Shtetit, strukturave shtetërore dhe mediave elektronike private. Janë pa licensë, nuk i mbyllin dot, edhe në Shqipëri. Vërtet ka një komision të Këshillit Kombëtar që duhet t’i penalizojë disa që hyjnë në frekuencat e të tjerëve, por mendoj që në rastin konkret ku bëtë pyetjen e parë ju, unë e di që Radio Klan ka qënë radio shumë e dëgjuar dhe mendoj që në këtë rast ndërhyrja e valëve të Radios së Kokëdhimës ka shkelur rregullat e etikës dhe të ligjit. Sepse akoma asnjë janë të palicensuara.

Gazetarja: Ju keni përballuar konkurencën prej kaq kohësh si e komentoni ndërhyrjen e zotit Kokëdhima?

Nikoll Lesi: Të jemi realistë dhe mendoj që nuk e shkurtoni këtë pjesë të intervistës sime, unë në kohën që u fut media e Kokëdhimës në tregun e medias shqiptare në ’98, përkatësisht Gazeta Shekulli, që shitej jashtë çdo lloj rregulli të ekonomisë së tregut, jashtë gjitha rregullave ligjore me një çmim qesharak që asnjë gazetë nuk e përballon dot, pra kishte burime financiare të dyshimta, unë kam qënë nga ato botues të medias edhe në Parlament, edhe në publik që kam kërkuar ndihmën edhe të televizionit tuaj dhe të medias tjetër sepse po shkelën rregullat e konkurencës së
ndershme. Në fakt ju keni heshtur. Tashti sipas parimit shqiptar i takon që unë të hesht në konfliktin që keni ju dy palët. Por prapë nuk po hesht se vetë prononcimi është një mosheshtje nga ana ime, jo si botues por si deputet i Parlamentit dhe pjesëtar i Komisionit Parlamentar të Masmedias, them pa folur me inate, flas fare hapur, që në këtë rast Radio e 2K ka gabuar sepse një herë bllokoi frekuencat e Zërit të Amerikës në mënyrë të dhunshme, kur ka tani frekuenca të bollshme dhe të lira. Tani ka bllokuar radion tuaj. Mendoj që në këtë rast ju keni të drejtë.

Gazetarja: Duke gjykuar si anëtar i Komisionit Parlamentar për Mediat, si mendoni se do të zgjidhet kjo kontradiktë?

Nikoll Lesi: Unë mendoj thjesht që Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit i kryesuar nga njerëzit e njohur të medias zoti Sefedin Çela duhet të ndërhyjë menjëherë në këtë konflikt që ka nisur dhe që mendoj që do jetë pak i egër mes kompanisë suaj dhe kompanisë 2K, sepse të dy janë klane të fuqishme në tregun shqiptar, që kanë pas vetes duam apo s’duam ta pranojmë, klane edhe politikanësh. Kështu që do jetë një përplasje e egër dhe mendoj që ndërhyrja e Kokëdhimës është edhe një tregues i forcës së tij për të mos pyetur median që ka jetuar me paratë e saja në kohën e vështirë të Berishës. Pa e zgjatur intervisten time per juve që të mos ju prish sekondat që keni të planifikuara, mendoj që zoti Çela duhet të ndërhyjë menjëherë dhe të mbyllë Radion 2K në frekuencën që ka ndërhyrë të Radios Klan, ashtu siç unë nuk kam të drejtë të ndërhyj në frekuencat e Radios Top Albania, të Radios +2 nëqoftëse e ka të rregullt apo në kanalin e TV Shijakut, apo të TV Arbërisë. Janë të ndara pak a shumë nga praktika është ndarë. Kështu që kjo unë mendoj kjo ndërhyrje është një
megallomani e Kompanisë 2K./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme