Konflikti në Maqedoni, dita e tretë e luftimeve në Tetovë – (16 Mars 2001)


Konflikti në Maqedoni, dita e tretë e luftimeve në Tetovë – (16 Mars 2001)

14:39 16/03/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Për herë të parë që nga fillimi i konfliktit në Maqedoni, katër predha kanë shpërthyer në qendër të qytetit të Tetovës. Këto predha kanë rënë në afërsi të selisë së Partisë Demokratike Shqiptare. Kjo parti ka dënuar luftëtarët shqiptarë, të cilët luftojnë kundër trupave maqedonase në periferi të qytetit. Radio shtetërore maqedonase, foli për një luftë të vërtetë brenda Tetovës.

Ushtria maqedonase, kishte përdorur artilerinë, për të qëlluar kundër luftëtarëve shqiptarë, që ndodhen në zonën malore dhe shqiptarët janë përgjigjur duke hedhur predhat në mes të qytetit. Në Maqedoni, po flitet për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe për mobilizim të përgjithshëm. Ndërkohë Ushtria Çlirimtare Kombëtare i ka bërë thirrje, të gjithë shqiptarëve që janë në gjendje të marrin nga një armë dhe të përkrahin luftën e kësaj ushtrie.

Ndërkohë bilanci i ditës së tretë të luftimeve në Tetovë është 5 të plagosur. Në një incident janë sulmuar edhe trupat paqeruajtëse gjermane të vendosura në Maqedoni. Diplomacia evropiane është vënë në lëvizje. Kështu ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher, ka deklaruar në Shkup, se perëndimi nuk do të lejojë ndryshimin e kufijve ballkanik me forcë./tvklan.al






Të ngjashme