Kongreset e partive politike shqiptare (25 Gusht 1999)


Kongreset e partive politike shqiptare (25 Gusht 1999)

10:56 25/08/1999

Partitë politike kryesore shqiptare të çorientuara në prag të kongreseve përkatëse. Ndërsa vjeshta po vjen njëkohësisht afrohen dhe datat e mbledhjeve të forumeve më të larta të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe asaj Socialdemokrate.

E para që starton garën e kongreseve është PSD-ja e cila do të shpalosë debatet e lindura brenda saj në Kuvendin Kombëtar më 3 Shtator. Kreu aktual i saj Skënder Gjinushi, mësohet se do të kërkojë në Kongres votëbesimin e sekretarëve Kule e Myftari si dhe të kreut të Tiranës, Luftim Ahmetaj. Ndërkohë këta të fundit kanë sulmuar vazhdimisht Gjinushin dhe Apostolin.

Ndërkohë e njëjta situatë shikohet dhe në PS ku lufta politike përqëndrohet tek karrigia e kryetarit të partisë të dorëzuar nga Fatos Nano. Cili do jetë kryetari i ri Majko apo Nano që ka zhvilluar një fushatë të gjërë në bazën socialiste.

Në PD, Berisha duket se e ka siguruar postin e kryetarit. Deri tani megjithëse ai ka mirëpritur konkurentët, nuk është paraqitur ndonjë i tillë. Hartimi i statutit nga Ridvan Bode ka krijuar debate mes vetë demokratëve. Por kjo dhe zërat gjithnjë energjikë kundër Berishës, duket se nuk do të sjellin konfigurim në Partinë Demokratike.

Megjithatë duke patur parasysh të papriturat e politikës shqiptare gjithçka mund të pritet nga kongresi i Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe asaj Socialdemokrate. Janë pikërisht këto parti që mbajnë peshën më të madhe midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego






Të ngjashme