Konkluzionet e ekspertizës së aksidentit të shkaktuar nga ministri Nako – (21 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Aksidenti i dy ditëve më parë, ku pas një përplasje të një vajze 20 vjeçare me makinën e ish-ministrit Sokol Nako, ishte i paevitueshëm. Ky ka qenë konkluzioni i oficerëve të policisë rrugore të Tiranës, pas kryerjes së gjithë akteve të ekspertizës. Sipas drejtuesit më të lartë të policisë rrugore të kryeqytetit Luan Shehaj, vartësit e tij që u morën me këtë çështje, e kanë përfunduar akt-ekspertizën e aksidentit dhe ia kanë përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme.
Prokurori që ka marrë dosjen në dorëzim, pas studimit të të gjitha akteve proceduriale, do të vendos nëse dosja duhet dorëzuar në gjykatë, apo ta rikthejë atë në policinë rrugore. Rikthimi i dosjes nga prokurori në duart e policisë rrugore do të thotë që do të jenë oficerët rrugor që do të vendosin.
Në këtë rast sipas specialistëve të trafikut, kemi të bëjmë me një kundra-vajtje nga ana administrative, çka mund t’i shkaktojë ish-ministrit Nako një gjobë, apo maksimalisht heqjen e patentës. Kjo pasi aksidenti nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë parakalimi të gabuar apo të ndonjë veprimi tjetër të ndaluar nga ana e Nakos, si shofer. Dy makinat, ajo e Nakos dhe kamioni kanë qenë në këmbim me njëra-tjetrës dhe pikërisht momenti që sapo ka kaluar kamioni nga njëra anë, ka qenë koha e daljes së rrufeshme të viktimës Margarita Xhaferri, e cila fatkeqësisht nuk ka parë nga ana tjetër, nga po vinte dhe Fuoristrada qeveritare./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj