Konkurrenca: Të dëmshpërblehen qytetarët!
Pas një sërë rekomandimesh të bëra në vite, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë një vendim të rrallë për tregun e kompanive të sigurimeve.
Byroja e Sigurimeve dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk kanë marrë masat e duhura për të dëmshpërblyer në kohë të dëmtuarit, për këtë arsye Komisioni i Konkurrencës i kërkon Komisionit të Ekonomisë që të detyrojë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare që të bëhet dëmshpërblimi i drejtpërdrejtë për qytetarët duke patur si bazë historikun e tyre.
Në rekomandimet e bëra, Konkurrenca shprehet se nuk janë bërë të gjitha aktet ligjore për të bërë të zbatueshëm këtë parim, prandaj kërkon që këtë ta bëjë Kuvendi.
Dy javë më parë, emisioni investigativ “STOP” publikoi dy raste të qytetarëve, të cilët kanë vite që nuk marrin dëmshpërblimet, edhe pse kanë një vendim gjykate që detyron Byronë e Sigurimit për t’i dhënë paratë.
Rastet janë të vitit 2007 dhe 2011-të.
Në bazë të ligjit, kompanitë e sigurimeve duhet të derdhin pranë Byrosë shumën e parave në bazë të përqindjes së tregut që ato kanë. Ky fond shërben për të dëmshpërblyer palët e treta, të cilat dëmtohen, por nuk kanë se ku të marrin paratë.
Tv Klan