Kontrabandë me mallrat, 2 të arrestuar
Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë në Fier dhe Vlorë, për akuzën e kontrabandës dhe kundërshtimit të punonjësve doganorë.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se në Fier është ndaluar Shefqet Kasaj, përfaqësuesi i subjektit të hidrokarbureve “Kasa”.
Ndalimi i tij u bë pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në depozitat e subjektit nga Drejtoria e Hetimit, rezultoi se në 5 depozita kishte gjendje një sasi prej 54 mijë litra material hidrokarbur, pavarësisht se subjekti nuk është i pajisur me autorizim të magazinës fiskale.
Kjo, sipas autoriteteve përbën shkelje doganore të ligjit “Për Akcizat ne R.Sh. Mbi të ndaluarin rëndon akuza për veprën penale të kontrabandës me hidrokarbure.
Ndërsa në qytetin e Vlorës është ndaluar Leksi Gubera. Ai akuzohet për kontrabandë dhe kundërshtim të punonjësve doganorë.
Inspektorët e Antikontrabandës mësohet se e kishin ndaluar për kontroll mjetin që drejtohej nga Gubera, por pasi ka përfunduar kontrolli, ai nuk ka pritur rezultatin, ka kundërshtuar inspektorët e Antikontrabandës dhe është larguar nga vendkontrolli.
Efektivët iu vunë në ndjekje mjetit dhe pasi e ndaluan, konstatuan se ishte shkarkuar një sasi malli.
Ndaj Leksi Guberas rëndon akuza për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjerë” dhe “Kundërshtim i punonjësit doganor”./tvklan.al